Klubi Rotarian Gjakova-Çabrati, në kuadër të muajit Tetor, që njihet ndryshe si muaji botëror i Vetëdijesimit për Kancerin e Gjirit, është angazhuar në realizimin e disa aktiviteteve që do të kontribuonin në vetëdijesimin e femrave për përfitimet e diagnostikimit në kohë të kancerit të gjirit.
Rrjedhimisht është paraparë që aktiviteti kryesor të mbahet në Foajen e Pallatit të Kulturës së Gjakovës ME MOTON “NDIEJ JETË NË ÇDO QELIZË”. Të ftuar do të jenë mjekë, artistë dhe familjar të personave të prekur nga sëmundja të cilët do të flasin për këtë çështje dhe ofrojnë informacione të nevojshme.
Andaj, ju ftojmë që të merrni pjesë në këtë aktivitet.
Datë: 23.10.2015 – e Premte Ora: 18:00
Vendi: Foajea e Pallatit të Kulturës së Gjakovës
Musafiret e ketij aktiviteti do te jene:
Blerina ROGOVA GAXHA
E lindur në Gjakovë (1982), Blerina është poete, eseiste dhe gazetare. Ajo punon si kolumniste në BIRN Kosova/Gazeta Jeta , si dhe asistente e mësimdhënies në Letërsi Shqipe në Universitetin e Gjakovës. Është kandidate për PhD në Universitetin e Prishtinës.
Me librin poetik „Gorgonë” (2009), ka fituar çmimin kombëtar Mitingu i Poezisë për librin më të mirë të vitit 2010, ndërkaq, libri i dytë “Kate” është promovuar në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë. Është fituese e cmimit ndërkombetar për letërsinë “Crystal Vilenica Award 2015” në njërin nga festivalet më të rëndësishem në fushën e letërsisë në Europën Qendrore. Ka pasur prezantime të shumta në Evropë dhe poezitë e esetë e saj janë botuar në shumë gjuhë. Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës dhe fituese e bursës së shkrimtarëve në Austri, Kroaci dhe Gjermani.
Arlinda ÇAUSHOLLI
Është gazetare, publiciste dhe eksperte komunikimi. Që nga viti 2006, është Drejtoreshë Komunikimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës „Nënë Tereza“. Karrierën e saj e filloi në gazetari në vitin 1993 me Gazetën Shqiptare dhe më pas me agjensinë amerikane të lajmeve, Associated Press, në 1997-2002. Në vitet 2003-2006 ka qenë Drejtuese Komunikimi në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Projektet e Shërbimeve. Eshtë diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin“Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe mban Gradën Master për Shkenca Komunikimi në Universitetin Europian të Tiranës (UET) në vitin 2011, duke u nderuar me “Çmimin e Ekselencës”. Eshtë autore e blogut “Ndër mejtime” që publikohet tek e përditshmja Shqiptarja.com.
Eshtë themeluese, ideatore dhe drejtuese e Programit të Komunikimit „Fit For Future“.
Edi KASTRATI
Ka lindur me 18.07.1981 dhe shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë.
Në vitin 2006 përfundoi Akademinë e Arteve në Prishtine, arti dramatik dega Aktrim , kurse studimet Master për Menaxhim të sektorit të Kultures i përfundoi në Universitetin AAB në Prishtinë.
Aktualisht është në poziten e drejtorit të Teatrit të Gjakovës dhe Aktor në serialin “O Sa Mirë”
Butrint KUSARI
Ka lindur në Gjakovë. Me profesion eshte gjinekolog – obsteter. Ka kryer fakultetin dhe specializimin në Prishtinë. Ka qenë pjesëmarrës në shume seminare ndërkombëtare, si dhe ka ndjekur trajnime të shumta në shtete të ndryshme si në Slloveni, SHBA, Turqi, Shqipëri, Kroaci etj.
Kusari punon si gjinekolog obsteter pranë spitalit rajonal Isa Grezda –Gjakovë spitali për trajtimin e sterilitetit dhe IVF “Fati im” si dhe ordinanca private Jeta Gyn.
Alice CONTINI
Është punëtore humanitare, e cila që prej pranverës së vitit 2014 punon në Gjakovë me OJQ-në italiane CeLIM. Ajo ka lindur dhe është rritur në Milano, Itali, nga një baba italian, ndërsa nëna e saj ishte bijë e emigrantëve gjerman. Në vitin 2008 ajo i filloi studimet në Shkencat Shoqërore dhe Marrëdhënie Ndër-kulturore në Fulda, Gjermani, ku kryesisht u koncentrua në fushën e Migracionit. Pas disa përvojave jashtë vendit si në Meksikë dhe Xhamajka në vitin 2012, ajo vendosi të kthehej në Milano për të studiuar në fushën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Emergjenca. Keshtu, prej këtij momenti ajo vendosi të ndjekë rrugën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim dhe ra në kontakt me CeLIM-in, për të cilin ajo filloj të punonte në Milano, Shkodër dhe tani në Gjakovë.
Rrezarta NALLBANI BATALLI
Ka lindur në Gjakovë me 1982 dhe ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës si Magjistër i Shkencave të Farmacisë.Gjatë kësaj kohe ka kryer një numër të madh trajnimesh për ngritje të mëtutjeshme profesionale. Eshtë anëtare e Odës Farmaceutike të Kosovës.Eshtë themeluese e kompanisë Aqua Pharm në Gjakovë ku edhe e jep kontributin e saj si specialiste e farmacisë.
Aktiviteti i Vetedijisimit te Kancerit te Gjirit organizohet nga Klubi Rotarian Gjakova-Çabrati me mbeshtetjen e Klinikes “Fati Im” -Dr. Afrim Muhaxhiri, “Klinika Amerikane”- Dr.Behar Kusari si dhe IPKO Foundation.
Ju mirëpresim.
jazz surf WordPress theme